Kryetari i komunës së Vitisë Sokol Haliti, vitin 2015 e ka cilësuar si më të suksesshmin që nga paslufta e këndej. Ai gjatë debatit të dytë me qytetarë dhe të fundit për këtë vit, ka pasqyruar aktivitetet, rezultatet dhe të arriturat e komunës së Vitisë për këtë vit, posaçërisht për gjashtëmujorin e dytë. “Ky sukses, është arritur falë bashkëpunimit të mirë me qytetarët e kësaj komune, institucionet, autoritetet qendrore dhe donator të ndryshëm të cilët me mbështetjen e tyre ndihmuan në realizimin e projekteve për të mirën e qytetarëve vitias”, ka thënë kryetari Haliti.
Ai në veçanti ka folur për punën e institucioneve komunale gjatë këtij viti dhe sfidat, por edhe për planet për vitin në vijim, duke përmendur projektet konkrete të cilat janë realizuar me buxhetin komunal, por edhe përmes donacioneve të ndryshme si në infrastrukturë, ambient, arsim, kulturë, rini dhe sport, e gjithashtu edhe në drejtori dhe sektorë të tjerë.
Në pjesën e dytë e cila ka qenë e rezervuar për pyetjet e qytetarëve, kryetari Sokol Haliti, iu është përgjigjur interesimeve rreth investimeve në të ardhmen, mbështetjen e shoqatave, kategorive sociale etj.
Debati i sotëm publik i kryetarit Haliti, u organizua nga Zyra për Informim dhe Marrëdhënie me Publikun dhe Zyra e kryetarit të komunës. Debati është realizuar në bazë të udhëzimit administrativ për transparencë në komuna, në bazë të së cilit parashihet që çdo vit komuna të mbajë së paku 2 takime publike për çështje në interes të përgjithshëm brenda vitit kalendarik.
Në këtë debat, është promovuar edhe buletini informativë “Vitia vendi im” i përgatitur nga Zyra për Informim dhe Marrëdhënie me Publikun. /vitialive.com/