Pёrfaqёsues tё Kёshillit tё Veprimit Rinor Lokal tё Vitisё, kanё kёrkuar mё shumё pёrfshirje nё aktivitete tё lira, për t`iu shmangur kështu  njëkohësisht edhe dukurive të dëmshme. Nё  punёtorinё me temёn ‘Zbatimi i planit të veprimit për planifikim të buxhetit komunal, në kuadër të projektit ‘Mbёshtetja e organizatave të shoqёrisё civile pёr pjesёmarrjen nё vendimmarrje’, tё organizuar nga OJQ ‘Elita’, nё mbёshtetje tё Misionit tё OSBE-sё nё Kosovё, pjesёmarrёsit u njoftuan me draft-planin e  veprimit pёr vitin 2016.  Eksperti Mentor Rexhepi, duke shpjeguar formatin dhe duke folur pёr rёndёsinё e kёtij dokumenti, tha se tё rinjt duhet tё identifikojnё nevojat, kёrkesat, brengat   e tyre dhe t`i listojnё ato sipas prioriteteve, nё mёnyrё qё ato të përkasin me hartimin e buxhetit pёr vitin e ardhshёm.  “Është mirë në kuadër të planit t`i keni 4 apo 5 objektiva kryesore që planifikoni t`i arrini vitin e ardhshëm, në mënyrë që si rrjedhojë e kësaj pastaj të dini pastaj se cilat, projekte, cilat plane apo cilat aktivitetet t`i planifikoni. Pra në kuadër të këtij dokumenti ju duhet t`i përfshini aktivitetet dhe projektet që dëshironi t`i realizoni si dhe arsyetimin për to’, ka thënë Rexhepi.

Zyrtari për Rini, Emrush Azemi tregoi se Kuvendi Komunal i Vitisë ka aprovuar Rregulloren për Këshillin e Veprimit Rinor Lokal (KVRL), në bazë të së cilës 15 % e buxhetit kalon. Kështu që  sipas tij, KVRL-së i mbetet vetëm hartimi i planit të veprimit për gjashtëmujorin e dytë të këtij viti dhe gjashtëmujorin e parë të vitit 2016. Ai sqaroi se ky buxhet mund të shfrytëzohet në dy mënyra: e para përmes planit vjetor të veprimit dhe e dyta përmes projekt-propozimeve. Sipas Azemit, plani i veprimit duhet të jetë i ndërlidhur me planin e veprimit në nivel qendror, planin e veprimit  në nivel lokal dhe strategjinë në nivel qendror.

Këshilltari në Kuvendin Komunal të Vitisë, Sami Demelezi, u ka ofruar të  rinjve përkrahje dhe bashkëpunim. Ai i ka inkurajuar ata që të punojnë me vullnet të madh, të jenë të vendosur në realizimin  synimeve të tyre dhe të jenë prezent në jetën publike, dukeu bërë me dije se me propozimin e tyre mund të ndryshohen edhe dokumente që janë miratuar në kuvend, siç është psh. Rregullorja për ndarjen e bursave, pasi kishte pyetje në lidhje me çështjen e ndarjes së bursave.

Të rinjtë prezent në punëtori thanë se në përgjithësi mungojnë aktivitetet rinore. Gjatë punëtorisë dolën edhe rekomandime si: Organizimi i trajnimeve për të ngritur kapacitetet siç është aftësimi për shkrimin dhe hartimin e projekteve; Krijimi i një ëeb faqeje, ku do të prezantoheshin aktivitetet rinore si dhe informata  tjera; Mbajtja e ligjëratave mbi dukuritë e dëmshme: droga, alkooli, duhani, sëmundjet e ndryshme; Organizimi i fushatave vetëdijesuese kundër armëve; Përfshirja sa më të madhe e tyre në jetën kulturore, sportive e rekreative, sidomos e femrave përmes formimit të klubeve në futboll, volejboll e basketboll edhe për femra.

Leave A Reply