Këshilli i fshatit dhe përfaqësuesit e subjekteve të ndryshme politike, bizneseve dhe të rinjve të fshatit Smirë të Vitisë, kanë mbështetur iniciativën e OJQ “ELITA”, për hartimin e strategjisë zhvillimore 2015-2020 për këtë lokalitet. Ata që në takimin e parë informues kanë nxjerr në pah nevojën që fshati Smirë të ketë këtë strategji, pasi sipas banorëve të Smirës, ky dokument hap mundësi për tërheqje të donacioneve si nga institucionet ashtu edhe donatorët për projekte zhvillimore, të kulturës, trashëgimisë kulturore si dhe për të rinj.
Ibrahim Sefedini, koordinator i projektit, ka thënë se OJQ “ELITA” ka gjetur përkrahjen e donatorëve si dhe komunës, që të ndihmojë lokalitetet e Vitisë për të hartuar këto dokumente që krahas ngritjes së kapaciteteve të këshillave të fshatrave si mekanizma konsultativ, përcaktojnë kahet e zhvillimit për të ardhmen .
Kurse Mentor Rexhepi, është shprehur se strategjia është një një mundësi shtesë që qytetarët të përfitojnë projekte që janë në interes të zhvillimit të lokalitetit të tyre.
E, Afrim Salihu,kryetar i këshillit të fshatit, ka theksuar se smirasit janë të gatshëm që të japin kontributin e tyre që ky dokument të hartohet në bazë të nevojave reale të fshatit.
Ndërsa, Bekim Azizi, këshilltar komunal, ka theksuar se strategjia u mundëson smirasve që në të ardhmen më lehtë ti qasen donatorëve për çdo lloj projekti që është fjala.
Bashkim Hasani, akivst ka theksuar se në strategji krahas projekteve të infrastrukturës duket të përfshihen edhe projektet që kanë të bëjnë me arkeologjinë, kulturën, rininë e sportin.
Takimi me banorët e Smirës, është organizuar nga OJQ “Elita” e cila në bashkëpunim me institucionet komunale të Vitisë, është duke zbatuar projektin “Qytetarët faktorë vendimmarrës”, i cili realizohet në kuadër të projektit Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP) – i financuar nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë (SCO -K) dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).