Banorë të Smirës kërkojnë ndaljen e degradimit të mëtutjeshëm të pyjeve. Në një debat të organizuar nga OJQ “Elita”, në bashkëpunim me ATRC/USAID, në kuadër të projektit “Sensibilizimi dhe ngritja e vetëdijes së qytetarëve për mbrojtjen e pyjeve”, anëtarë të këshillit të fshatit dhe banorë të tjerë prezent, kanë shprehur shqetësimin e tyre për dëmtimin e pyjeve nga prerjet ilegale. Ata kanë kërkuar të gjenden mënyra për të ndalur këtë dukuri. Koordinatori i OJQ “Elita”, Ibrahim Sefedini, ka thënë se në kuadër të projekti përpos monitorimit të gjykatës po punon edhe në vetëdijessimin e qytetarëve për mbrojtjen e pyjeve. Në këtë drejtim janë edhe takimet që po mbahen nëpër lokalitete që janë afër pyjeve në pronësi shtetërore dhe private siç është Smira. Kryetari i Këshillit të fshatit, Afrim Salihu, ka thënë se ka ankesa të vazhdueshme nga banorët për këtë problematikë. Ai propozoi të ketë kontrollë më të madh dhe dëmtuesit të dënohen, kurse njëkohësisht të shqyrtohet mundësia e shfrytëzimit të burimeve tjera të energjisë, siç është linjiti.

Granit Avdyli nga Drejtoria e Pylltarisë dhe Bujqësisë, ka treguar se kjo drejtori ka ndërmarrë disa masa për të penguar prerësit ilegal të pyjeve siç janë pengesat në rrugë, apo kontrollet e shpeshta bashkë me Policinë e Kosovës dhe Ekonominë e Pyjeve. Ai ka kërkuar që Gjykatat dhe Policia të jenë më efikase në trajtimin e kësaj çështjeje. Sipas tij, rojet e pyllit dhe personeli tjetër janë penguar por edhe sulmuar nga persona të caktuar që janë hasur duke prerë dru pa leje.

Selman Selmani përgjegjës në Ekonominë e Pyjeve, është ankuar për mungesën e kushteve të punës. “Ne me 10 roje të pyllit mbulojmë 10 mijë ha sipërfaqe. Kurse kemi vetëm një veturë në dispozicion. Duhet koordinim i të gjithë mekanizmave për të ndryshuar këtë gjendje dhe për të ndalur dëmtimin e pyjeve”, ka thënë Selmani.

Zyrtari për ambient në Komunën e Vitisë, Alban Sokoli, ka thënë se pyjet në Viti janë natyrore dhe rëndësia e tyre është e madhe. “Ne kemi krijuar shprehi të shfrytëzimit të drurit natyror për ngrohje, por mund të bëhet shfrytëzimi i drurit të kultivuar për djegie. Planet tona janë të orientuara kah shfrytëzimi i drurit të kultivuar, pra të mbillen sipërfaqe të reja me këtë lloj druri i cili shpejt krijon masë drusore”, ka thënë Sokoli.

Në fund të debatit, të pranishmit nxorrën edhe këto rekomandime: Sanksionimi i prerësve ilegal të pyjeve; Gjetja e  burimeve alternative për ngrohje; Policia dhe Gjykata të jenë më efikase; Të ketë kontrolle më  të shpeshta; Të shtohet numri i rojave të pyllit; Të ketë koordinim më  të mirë të të gjithë mekanizmave përgjegjëse; Përmirësimi i kushteve të punës për rojat e pyllit; Të hartohet një plan konkret për gjetjen e burimeve alternative të energjisë; Të bëhet pastrimi i pyjeve.

 

Leave A Reply