Nëse dikujt nga banorët e fshatit Smirë, nuk i kanë ardhur faturat e fundit të tatimit në pronëapo e Trustit Pensional, ato mund t`i gjejë në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët ‘Dëshmorët e 5 Prillit’. Një grumbull faturash qëndrojnë qe disa muaj në sallën e arsimtarëve. Aty i ka lënë Posta e Kosovës. Prandaj, shpërndarja e tyre bëhet ngadalë dhe me vonesë, edhe ate falë vullnetit të mirë të mësimdhënësve, të cilët ua japin nxënësve që t`ua përcjellin prindërve apo familjarëve, ndonëse nuk e kanë për obligim. Këtë shqetësim e ka ngritur në mbledhjen e fundit të Komitetit për Politikë dhe Financa në komunën e Vitisë, këshilltari komunal nga Smira, Bekim Azizi. Drejtori për Ekonomi Dhe Financa, Ibrahim Rama, duke iu përgjigur këshilltarit Azizi, tha se Komuna e Vitisë ka marrëveshje me Postën e Kosovës që faturat e tatimit në pronë, t`ua dërgojë të gjithë tatimpaguesve në shtëpi. Drejtori Rama tha se do të merren masa për këtë.