Përfaqësuesit e Këshillit të Fshatit Gremnik të Komunës së Klinës kanë qëndruar të shtunën në Smirë, për t`u njohur për së afërmi me modelin e aktivizmit qytetar dhe në përgjithësi me organizimin e jetës në fshat.
Kryetari i Këshillit të fshatit Smirë, Afrim Salihu, duke iu dëshiruar mirëseardhje, i ka njoftuar mysafirët klinas me vlerat dhe mënyrën e funksionimit të këshillit. ‘Ne punojmë si grup bashkëshirt. Jemi të lidhur të organizuar dhe bëjmë punë vullnetare secili sa mundet. Jemi pra të përkushtuar që të ndryshojmë gjërat dhe jetën në fshat. Poashtu mbajmë lidhje të mira me diasporën dhe me smirakët që jetojnë në Shkup.Vlen të përmendet se prej pasluftës deri më sot banorët me vetkontribut kanë investuar mbi 420 mijë euro’, ka thënë Salihu.
Kryetari i Këshilltarit të Fshatit Gremnik, Binak Gashi, e ka vlerësuar nismën e menaxherit të programit në Forumin për Iniciativa Qytetarë-FIQ, Nazim Haliti, për të vizituar fshatin Smirë dhe për të parë modelin e organizimit këtu. Ai pastaj ka prezantuar Gremnikun. ‘Fshati ka rreth 200 shtëpi. Ka qenë i djegur në luftën e fundit dhe ka dhënë dy dëshmorë. Pas përfundimit të luftës është rindërtuar dhe ka filluar jeta nga nga e para. Kemi ndërtuar një shkollë të re me donacione të një organizate të Arabisë Saudite, pastaj kemi instaluar ujësjellësin, kurse kanalizimi nuk është kryer krejtësisht. Fshati Gremnik është i pasur, ne kemi rreth 60 firma dhe mbi 100 persona që punojnë nga jashtë fshatit. Kemi dy lumenjë dhe tokë pjellore’, ka thënë Gashi. Ai shprehu gatishmërinë e vazhdimit të bashkëpunimit me Smirën edhe në të ardhmen.
Haliti nga FIQ tha se këto këmbime të përvojave janë gjithnjë të mira dhe të dobishme për të parë se si jetojnë dhe organizohen të tjerët. ‘Smira është e njohur për aktivizëm qytetar dhe përkushtimi i banorëve të saj për t`u inkuadruar në jetën publike dhe për t`u marrë me cështje e problematika që e preokupojnë komunitetin, po vazhdon. Përvec investimeve të mëdha që bëjnë dhe punës vullnetare, sidomos janë interesante dhe me vlerë disa iniciativa të vogla që mund të realizohen me pak mjete financiare ’,ka thënë Haliti.
Sejdi Godanci nga Këshilli i fshatit Gremnik ka thënë se fshati Gremnik është i zhvilluar dhe i pasur, por nuk është kështu i organziuar si Smira dhe nuk bën aq shumë akivitete. ‘Para luftës kemi qenë më të organizuar por tani jemi më pak aktiv. Më shumë jemi fokusuar në biznes. Kjo që pamë këtu vërtetë është për respekt. Smirës duhet t`i lakmojnë jo vetëm fshatrat, por edhe vet komunat. Është nder për ne që kemi ardhur të shohim përvojat dhe shembujt e mirë të Smirës’, ka thënë Godanci.
Drejtori i Shkollës së Mesme të Ulët ‘Dëshmorët e 5 Prllit’, Xhavit Sahiti, ka thënë se në shkollë po punohet mirë por edhe banorët po e ndihmojnë mjaft në përmirësimin e infrastrukturës, e cila ndikon në ngritjen e cilësisë në arsim.
Vizitës së gremnikasve në Smirë, iu bashkua edhe kryetari i Shoqatës smirase ‘Smira Dardane’, me seli në Shkup, Zijadin Sylejmani, i cili i njoftoi ata me aktivitetet e kësaj shoqate.
Pastaj mysafirët nga Gremniku Binak Gashi, Sejdi Godanci, Adem Dragidella dhe Demë Kalludra, vizituan disa monumente historike dhe disa lagje të fshatit dhe në fund u gostisën me një drekë nga nikoqirët smiras, të shoqëruar me këngë nga Muzafer Rexhepi, Haxhim Metallari, Esat dhe Isuf Bajrami.