Smira dhe në përgjithësi shoqëria shqiptare, ka humbur një intelektual dhe profesionist të shquar si dhe një njeri të
devotshëm-Dr. Sami Sylejmanin. Ai ndërroi jetë në moshën 57 vjeçare, më 29 gusht, në Shkup, pas një sëmundje të rëndë.
I ndjeri ka lindur në Smirë të Kosovës, ku dhe ka mbaruar shkollimin fillor, ndërsa atë të mesëm e kreu në Shkup.
Ka diplomuar në Fakultetin e Shkencave Matematiko-natyrore, dega e Biologjisë, në Shkup. Studimet pasuniversitare, ku mori titullin
magjistër i Shkencave të Biologjisë, i mbaroi në Universitetin e Zagrebit, ndërsa doktoraturën e ka mbrojtur në Universitetin e
Tiranës.
Një periudhë të gjatë ka qenë profesor i biologjisë në gjimnazin e Ferizajit dhe në gjimnazin “Zef Lush Marku” në Shkup. Nga viti
1995, ishte ligjërues në Fakultetin e Shkencave Matematiko-natyrore në Universitetin Shtetëror të Tetovës, në tre disiplina, në
degën e Biologjisë. Në këtë Universitet ka kryer edhe poste të rëndësishme, siç është shef i Katedrës së Biologjisë dhe dekan i
Fakultetit të Shkencave Matematiko-natyrore.
I ndjeri, Dr. Sami Sylejmani, ka qenë autor i shumë artikujve shkencorë, kumtesave shkencore dhe botimeve të teksteve universitare.