SMIRAS NE SHKUPSmiras që jetojnë në Shkup,  kanë ngritur iniciativën për formimin një shoqate të tyre jofitimprurëse, e cila do të ketë për qëllim kujtimin, ruajtjen dhe kultivimin e vlerave kombëtare dhe njerëzore, që burojnë nga një fshat me traditë të lashtë, siç është Smira. Shoqata synon edhe formimin e një fondi, i cili do të përdoret për qëllime humanitare. Në një takim me moton “Vendlindja na bashkon”, të mbajtur të premten në mbrëmje, në Restorant “Smira”, në Shkup, u zgjodh  edhe Këshilli inicues për formimin e kësaj shoqate.

 

Iniciatori dhe organizatori i këtij tubimi, Zijadin Sylejmani, tha se ishte një ide dhe dëshirë e kahmotshme e smirasve në Shkup që të organizohen më mirë.

“Sonte u tubuam këtu për t`u njohur mes vete por edhe për kultivimin e vlerave të atdhedashurisë. Prandaj, prania në këtë tubim reflekton dashurinë dhe respektin ndaj vendlindjes, ndërsa dëshmon gatishmërinë reale që kujtimet për vendin e të parëve, mos të zbehen asnjëherë”, tha Sylejmani.

Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, i përgëzoi smirasit për këtë nismë, duke i inkurajuar që ta vazhdojnë punën për të mirën e komunitetit ku jetojnë.

“Unë jam lindur në Çair dhe jam rritur me njerëz që kanë prejardhje nga Smira. Përveç kësaj, unë edhe kam marrë mësim nga arsimtari Vebi, pastaj nga profesori Sami Sylejmani  si dhe nga profesori tjetër i dalluar Sami Ibrahimi, që të tre nga Smira. Pra unë njoh njerëz nga Smira që kanë dhënë kontribut në të gjitha fushat, në arsim, në fe, në çështje kombëtare”, tha Mexhiti, i cili premtoi se do ta mbështesë formimin e shoqatës dhe aktivitetet e saja.

Kryetari i fshatit Smirë, Afrim Salihu, duke u dërguar smirasve të Shkupit përshëndetje nga vëllezërit e tyre nga Smira, i falënderoi ata për të gjithë mbështetjen dhe ndihmat që kanë dhënë për fshatin, kur ka pasur nevojë.  

“Smirasit kudo që jetojnë janë të afërt mes vete dhe mundohen që këtë afërsi ta konkretizojnë edhe në vepër, duke u bashkuar dhe duke organizuar aktivitete, aksione e duke mbajtur takime e festa të përbashkëta. Për këtë arsye, fshati ynë është bërë model në gjithë Kosovën, i organizimit dhe aktivizmit qytetar. Gjithastu njerëz tanë nga Smira edhe në rrafshin individual, kanë arritur shumë në arsim, politikë, biznes apo fusha tjera. Edhe këtu në Shkup, u njohëm me shumë njerëz të suksesshëm, sidomos të rinj me prejardhje nga Smira, të shkolluar dhe që punojnë në të gjitha institucinet me rëndësi shtetërore”, tha Salihu, i cili në emër të fshatit ua dhuroi smirasve të Shkupi një flamur të Smirës.

Ish-deputeti në Parlamentin e Maqedonisë dhe ish-ambasador i këtij shteti në Kopenhagë, Sami Ibrahimi, tha se më lehtë e ka pasur kur ka folur në OKB, se sa para Smirës së bashkuar.

“Këtë tubim as që e kam ëndërruar ndonjëherë, por ja që po e përjetojmë. Kudo që kam shkuar Smirën e kam pasur në anën e majtë në gjoksin tim-në zemër. Pluhuri dhe dheu i fshatit tim të lindjes është ari, krahasuar me asfaltin dhe gurët e Shkupit. Atë kohë që e kam kaluar në Smirë, ka ndikuar në formimin e personalitetit tim”, tha Ibrahimi.

Ndërkaq ish-deputeti në Parlamentin e Shqipërisë, Ismet Ferizi, me vendbanim në Kavajë, tha se është i gëzuar që po sheh smirasit kështu bashkë, nga Smira, Shkupi dhe Shqipëria, duke uruar që takime të tilla të bëhen tradicionale.  

Pjesëmarrësit në emër të Kryesisë së Smirasve në Zvicër, i përshëndeti edhe Ramadan Rrahmani, i cili tha se smirasit në diasporë për të tretin vit me radhë mbajnë takime në Gjenevë për t`u njohur mes vete, por edhe për të ndihmuar vendlindjen. Ai inkurajoi organizatorët që të mos ndalen sepse kjo është edhe një hallkë më shumë e lidhjes sonë.

Një historik të shkurtër të Smirës e paraqiti Feriz Ahmeti. U shfaq dokumentari “Kontributi i Smirës ndër shekuj”, i cili u promovua para një jave në Viti. Kurse takimi përfundoi me një darkë të përbashkët. 

 

Për organizimin  e kësaj mbrëmje barrën kryesore e kanë pasur dy sponsorë të cilët mbuluan të gjitha shpenzimet- Ndërmarrja “Univerzal Komerc” që merret me ngjyra dhe llaqe dhe “Restorant Smira”, të dyja me pronarë smirali.

Kurse këtë ngjarje e përcolli Televizioni Shtetëror i Maqedonisë, Programi shqip dhe media tjera.  /fshatismire.com/

 

 

Leave A Reply