Me takimet në fshatrat Korishë dhe Skorobishtë të Prizrenit, Forumi për Iniciativa Qytetare-FIQ dhe Smira, kanë përfunduar ciklin e ligjwratave për qytetari aktive, në kuadër të projektit “Rritja dhe forcimi i aktivizmit qytetar”. Kryetari i deritanishëm i Smirës, Bekim Azizi dhe njëri nga mirëmbajtësit e faqes së internetit arkiva.fshatismire.com, Tefik Salihu, kanë prezantuar para këshillave dhe aktivistëve të 10 fshatrave, në pesë komuna të Kosovës modelin e organizimit dhe realizimit të inciativave, aksioneve e projekteve në baza vullnetare në Smirë.
Zëvendësdrejtori i FIQ-it, Nazim Haliti, thotë për portalin tonë se nga të gjitha takimet është parë gatishmëria e qytarëve për të qenë aktiv në zhvillimin e aktiviteteve në të mirë të komunitetit. “Në përgjithësi shohim që çdo komunitet ka njerëz që kanë përkushtim t’ia dedikojnë kohën dhe dijen e tyre punëve dhe interesave të komunitetit, por ata gjithë këtë punë e bëjnë pa patur kushte pune dhe mbështetje nga tjerët. Por ajo çfarë jemi përpjekur të diskutojme me ta është ajo që ata nuk duhet parë aktivizmin qytetar vetëm në raport me institucionet lidhur me nevojat e tyre infrastrukturore, por që të jenë të organizuar brenda komunitetit të tyre në aktivitete të tjera të vogla mjedisore, kreative dhe sociale”, thotë Haliti.
Sipas Haliti, prezantimi i modelit të Smirës është mirëpritur nga të gjithë. “Kam përshtypjen se Smira i ka nxitur që të forcojnë nivelin e angazhimit të tyre. Disa madje kanë kërkuar dokumente të ndryshme të prezantuara dhe të tjerë që janë interesuar që të mbajnë lidhjen dhe komunikimin me Smirën”, tha zëvendësdrejtori i FIQ-it, Nazim Haliti. Haliti tha se bashkëpunimi i FIQ me Smirën do të vazhdoj edhe në të ardhmen në kuptimin e nxitjes së ideve të reja dhe në forcimin e aktivizmit qytetar në vend.
Bekim Azizi, ndërkaq tha se është ndjenjë e mirë kur puna dhe organizimi i Smirës është vënë re dhe është vlerësuar nga FIQ-i dhe ky model i funksionimit u është prezantuar edhe të tjerëve. “Ne ju kemi treguar pjesëmarrësve në takime se si punojmë, si organizohemi dhe si banorët janë të gatshëm të japin kontributin e tyre intelektual, profesional, apo material për të mirën e përgjithshme, në funksion të përmirësimit të jetës në fshat. Kjo ndjenjë është krijuar vite më herët dhe vullnetarizmi është traditë në Smirë. Në përgjithësi takimet kanë qenë konstruktive dhe ne jemi munduar që me shembullin tonë, t`i nxisim edhe mjediset tjera që të jenë akoma më aktiv. Të gjithëve ju ka pëlqyer organizimi i Smirës dhe kanë shprehur dëshirën për vazhdimin e bashkëpunimit”, tha Azizi.
Projekti “Rritja dhe forcimi i aktivzmit qytetar”, i Forumit për Iniciativa Qytetare-FIQ, u realizua në fshatrat Dardani dhe Gaçkë të Ferizajt, në Zhegër dhe Kishnapole të Gjilanit, në Zllakuqan dhe Klinë, në Loxhë dhe Zllapek të Pejës si dhe në Korishë dhe Skorrobishtë të Prizrenit. Ky projekt ishte vazhdim i bashkëpunimit të FIQ-it me fshatin Smirë. Vitin e kaluar kjo organizatë ka financuar tri projekte në fshat: perdet në shkollë, shtegun me kubëza betoni në oborrin e shkollës dhe tri stacionet protëse të autobusit.
Ndryshe, FIQ ka hyrë në finale të garës për “Çmimin për Integrim Social”, të cilin që nga viti 2007 çdo vit e ndan Erste Foundation nga Austria. Projekti për rritjen e mobilizimit qytetar, duke punuar për afro dy vite me Këshillin e Fshatit Smirë dhe duke ndarë përvojen dhe modelin e tyre të aktivizmit me komunitete të tjera në Kosovë, është njëri nga 138 projektet finaliste nga 1,933 projekte sa kanë aplikuar nga 13 vendet e Evropës Qendrore dhe Jugore. Në fund të muajit qershor, do të shpallen fituesit e fondit të përgjithshëm prej 610,000 për 33 prej projekte.