Sabri Sherifi nga Zyra e projekteve në komunën e Vitisë ka treguar për procedurat e tenderit për hartimin e projekteve në komunë, të cilin e ka fituar kompania Pro-Ing nga Prishtina. Ai tha se tash e tutje të gjitha projektet që do të financohen nga komuna,
do të hartohen nga kjo kompani.
Përfaqësuesi i Pro-Ing, ing.Florent Emini, i ka njoftuar të pranishmit se si do të bëhet dhe si do të duket projekti në vija të trasha, kurse punët për hollësi dhe detaje si dhe matjet në terren do të fillojnë sw shpejti.
Kurse kryetari i fshatit, Bekim Azizi, tha se për realizimin e projektit të kanalizimit në Smirë, nuk ka nevojë për participim të qytetarëve, sepse komuna tashmë e ka hequr një praktikë të tillë, por ai u bëri thirrje të gjithë smirasve që ta paguajnë tatimin në pronë, se ky është kriter për realizimin e këtij projekti. Borxhi total i smirasve i tatimit në pronë është rreth 48 mijë euro.
Për ndërtimin e kanalizimit në Smirë, janë destinuar 200.000 euro nga granti qëveritar dhe 20 mijë euro nga komuna e Vitisë. Projekti parashihet të kryhet deri në fund të këtij viti.