Është kompletuar me banka e karrige mësonjtorja ku vijojnë mësimin nxënësit e kl. IX 1 dhe IV 1, në Shkollën e mesme të ulët “Dëshmorët e 5 Prillit”, në Smirë. Klasa ishte renovuar para më shumë se një muajit me kontributin financiar të prindërve të nxënësve të këtyre dy klasave. Kurse punën vullnetare në rrafshimin dhe lyerjen e sipërfaqeve të mureve që ishin të papastra dhe të dëmtuara, e bëri Jahi Maliqi me të birin e tij Valdrinin.
“Poashtu me kontributin e disa arsimtarëve dhe nxënësve janë vendosur varëset dhe janë rregulluar dollapët për këpucë, duke përdorur dërrasat e dollapëve të vjetër që kanë qenë të vendosur në klasë. Karriget dhe bankat i kemi blerë nga buxheti i shkollës. Kështu që kemi arritur të krijojmë një ambient të denjë për mësim në këtë klasë, sepse ka qenë e mbuluar krejt me grafite”, thotë drejtori i shkollës Naim Agushi.
Është kjo klasa e dytë që renovohet me iniciativë të prindërve, pas rregullimit të Klasës model të shek. XXI, e cila u reazilua me materialin e siguruar nga Caritasit i Luksemburgut dhe me punën e prindërve, nxënësve dhe disa arsitmarëve. Ai thotë se edhe disa klasë të tjera janë në gjendje të keqe dhe të dëmtuara, të cilat kanë nevojë urgjente për renovim dhe për ndërrimin e bankave dhe karreigeve, mirëpo sipas tij, shkolla nuk ka buxhet për këtë.