Arsimtarët e Gjuhës Angleze, Afrim Salihu e Arif Zuka, mund t`ju shërbejnë si shembuj të mirë, jo vetëm kolegëve të tyre në Shkollën e mesme të ulët “Dëshmorët e 5 Prillit”, në Smirë, por edhe të tjerëve, më larg. Ata, në baza vullnetare, kanë filluar mësimin shtesë për nxënësit e klasave të larta, në vend se të organizojnë kurse me pagesë për nxënësit e vet, siç bëjnë plot mësimdhënës në Kosovë. . 

 

“Me arsimtarin Arif kemi biseduar dhe kemi vendosur që dy herë në javë të mbajmë mësim shtesë të Gjuhës Angleze. Në këtë lloj mësimi ta quaj alternativ, janë përfshirë nxënës që e duan anglishten dhe që kanë njohuri të mira për këtë lëndë, në mënyrë që të përparojnë edhe më shumë. Kjo do t`ju shërbejë atyre në jetë, pavarësisht se çka do të zgjedhin si profesion në të ardhmen. Paraprakisht nga të gjitha klasat e larta kemi zgjedhur nxënësit më të merituar që ta ndjekin këtë lloj mësimi, sepse i kemi njohur më të dalluarit në këtë lëndë”, thotë arsimtari Afrim.

 

Kolegu i tij, Arif Zuka, tregon se ky grup do të quhet “Grupi i Anglishtes” dhe beson se do të ketë sukses dhe do ta përfaqësojë shkollën edhe në gara që eventualisht do të organizohen. “Ta shohim si do të shkojnë punët. Iniciativa jonë ka zgjuar interesim dhe ka bërë jehonë në shkollë. Janë diku mbi 100 nxënës që kanë shprehur dëshirë të jenë pjesë e këtij lloj mësimi, por janë përfshirë vetëm rreth 30, për shkak të hapësirës së ngushtë. Sepse mësimi mbahet në shkollë, në një klasë mësimi. Për këtë nismë kemi pasur përkrahje edhe nga drejtori, kolegët dhe prindërit. Ne nuk përtojmë që pas orarit tonë të punës bashkë me arsimtarin Afrim të japim kontribut vullnetar vetëm e vetëm që fëmijët të kenë një burim më tepër të marrjes së dijes. Dikush mund të pyes pse ka nevojë për këtë lloj mësimi, kur fëmijët kanë orët e rregullta, në bazë të plangprogrami. Por është e pamundur të punojmë me të gjithë nxënësit për 40 minuta, prandaj i kemi veçuar disa që e kanë për qejfi anglishten në mënyrë që të arrijnë akoma më shumë”, thotë arsimtari Arif.

Ai inkurajon edhe kolegët tjerë që të ndjekin këtë rrugë, sepse siç tha, në shkollë janë rreth 270 nxënës të klasave të larta, të cilat kanë 13 lëndë obligative dhe nëse secili arsimtar organizon mësim shtesë në lëndët e tyre, atëherë asnjë nxënës nuk do të mbetet pa u angazhuar në këto grupe, pas orarit të rregullt të mësimit.

Iniciativën e arsimtarëve Afrim Salihu e Arif Zuka, e ka mirëpritur dhe lavdëruar drejtori i shkollës Naim Agushi. “Është inkurajuese të shohësh një zell të tillë për punë, kur arsimtarët përveç orëve, të cilat janë të obliguar t`i mbajnë, organizojnë edhe mësim shtesë. Ky është lajm i mirë për shkollën tonë, sepse po rikthehet prapë fryma e punës me grupet që duhet t`i ketë shkolla. Të shpresojmë se shembullin e tyre do ta ndjekin edhe arsimtarët tjerë dhe shpejt do të formohet edhe ndonjë grup tjetër”, thotë drejtori Agushi.

Edhe arsimtari i Edukatës Fizike, Shaqir Ibrahimi paralajmëroi se do të formojë me principin e njëjtë, pra vullnetari dy grupe të sportit: grupin e femrave në volejboll dhe atë të djemve në futboll. Ai tha se planifikon që këtë ta bëjë kah pranvera e ardhshme, për shkak se tash është dimër dhe nuk ka kushte të mira për të zhvilluar mësimin shtesë si duhet.

Leave A Reply