Shkruan: Feriz Ahmeti

-Për hirë të së ardhmes, ne duhet ta kujtojmë të kaluarën dhe të mos e harrojmë sakrificën e të gjithë atyre që kontribuan në themelimin e shtetit shqiptar, e të cilët po i nderojmë me shënimin e përvjetorëve. Në mesin e shumë atdhetarëve të rënë në mbrojtjen e trojeve shqiptare, para 100 viteve ka edhe smiras, të cilët janë dëshmuar në kërkesat e klubeve dhe komiteteve shqiptare në mbrojtje të trojeve shqiptare dhe pengimin e depërtimit ruso-sllav në Ballkan:  

 më 1868 Halit Imeri vritet nga „Dora e zezë“ serbe në Beograd; Shumë shqiptarë të ftuar nga ndërgjegjja kombëtare siç ishin klubet dhe komtetet kombëtare, u angazhuan pra në pengimin e depërtimit të ushtrisë ruso-sllave në Ballkan dhe në mbrojtjen e trojeve shqiptare. Paria shqiptare i përgjigjet apelit të „Komitetit të Stambollit“, i cili udhëhiqej nga Abdyl Frashëri, për mobilizimin e shqiptarëve në mbrojtje të trojeve shqiptare.

Shqiptarët sistemohen në Frontin e Plemes së Vogël më 1878. Në këtë rezistencë kanë rënë shumë dëshmorë shqiptarë, në mesin e tyre edhe këta smiras: Pajazit Sejdiu, Mehmet Sejdiu, Sallah Ramadani, Selim Haziri, Shaban Bajrami, Hysen Misin Salihu dhe plagoset për vdekje Bislim Ahmeti.

Në krengritjet shqiptare të vitit 1908, ranë dëshmorë këta bashkëfshatarë: Ajet Xhela, Zenë Dema dhe Sahit Rama. Në kryengritjet e vitit 1910 dhe në betejat e Smirës dëshmohen dëshmorët e kombit, vëllezërit Hajdar dhe Jashar Pajaziti. Smirasit kontribuan edhe në prag të shpalljes së shtetit shqiptar më 1912, duke u rkrutuar në dy fronte: në Frontin i Kumanovës dhe në Frontin e Ferizajt. Aleanca ballkanike anti shqiptare (Serbia, Mali i Zi, Greqia dhe Bullgaria) bashkë me Rusinë këkuan leje nga fuqitë evropiane që të sulmohet Perandoria Osmane.

Në atë kërkesë nuk figuronin tendencat e tyre për grabitjen dhe coptimin e trojeve shqiptare dhe asgjësimin e shqiptarëve. Më 8 tetor 1912 Mali i Zi e sulmon Perandorinë Osmane në trojet shqiptare. Më 9 tetor, patriotë shqiptarë, të tubuar në komitetin kombëtar „Shpëtimi“, në Shkup nën udhëheqjen e Nexhip Dragës, shpallën mobilizimin në luftë për mbrojtjen e trojeve shqiptare. Caktohen komandantët e mbrojtjes së trojeve shqiptare: Bajram Curri, Hasan Prishtina, Isa Boletini, Nexhip Draga, Idriz Seferi etj. Idriz Seferi ishte caktuar për Anamoravë dhe Karadak. Ky si strateg i shumë luftrave e tuboi parinë e Anamoravës dhe Karadakut në organizimin e mobilizimit të moshës prej 18-65 vjeçare në luftë mbrojtëse.

Armata Parë  serbe dhe divizione të armatave tjera serbe më një numër prej 126.000 efektivave, ishte tubuar në Vrajë dhe pritej urdhëri për pushtimin e kryeqytetit të Vilajetit të Kosovës Shkupin. Në mbrojtje të trojeve shqiptare dhe pengimin e depërtimit të Ushtrisë serbe drejt Shkupit, Idriz Seferi organizon Frontin e Kumanovës me një shtrirje prej Preshevës rreth rrënzave të Karadakut gjer te Kumanova. Forcat shqiptare të komanduara nga Idriz Seferi dhe prijës të tjerë të kësaj ane dhe në prapavijë, kishte edhe reparte të ushtrisë turke kundër një ushtrie barbare më 126,000 trupa dhe armatim më të përsosur të kohës.

Në këtë front janë zhvilluar beteja të ashpra, ku ka pasur hmbje nga dyja palët. Në mesin e të rënëve shqiptarë janë edhe këta nga Smira: Agush Bajrami, Shaban Selman Ajeti dhe Sadri Bajrami. Në frontin e Ferizajt kundër ushtrisë okupuese, në mesin e të rënëve të tjerë janë Xukë Halil Zuka dhe Bajram Ahmet Smira. Në këtë vit në Smirë pos këtyre dëshmorëve të rënë në fushëbeteja kishte edhe më se 68 veta të flijuar dhe martirizuar. Gjaku i derdhur i këtyre dëshmorëve dhe i mijëra dëshmorëve shqiptarë para njiqind vjet rezultoi me shpalljen e shtetit shqiptar në Ballkan më 28 nëntor 1912.

Leave A Reply