Shumë shqiptarë nga të gjitha trojet etnike dhe anekënd botës, tashmë kanë udhëtuar drejt Vlorës, në vendin ku para 100 vitesh, u bë shpallja e shtetit shqiptar. Disa pelegrinë janë nisur për atje këmbë, me kuaj apo edhe me biçikleta nga Kosova.
Por ka edhe të atillë që kanë udhëtuar mijëra kilometra nga shtete të ndryshme të botës, enkas për këtë festë. Enver Syla me të birin Valmirin nga Smira dhe Aziz Bislimi nga Vërbani, kanë bërë 3000 km udhë me makinë prej Osllos së Norvegjisë për të qenë prezent dhe për të përjetuar nga afër këtë ngjarje të veçantë. Ata i takuam në Viti, teksa po bëheshin gati të niseshin për Shqipëri.
“Ka një vit që kemi biseduar me Azizin dhe një shok tjetër që të vijmë për këtë përvjetor, sepse është domethënës. Nismës i është bashkuar edhe djali im-Valmiri. Ne të tre kemi ardhur bashkë me makinë, kurse shoku ynë ka shkuar direkt me aeroplan në Shqipëri. Jam i lumtur që kam mundur të vij, sepse shqiptarët në 100 vjetët e fundit, festë më të madhe nuk kanë pasur, edhe pse një pjesë e madhe e trojeve etnike kanë probleme”, thotë Enveri.
Ai, duke kujtuar kohën e mëparshme kur Kosova ishte e okupuar nga Serbia, shpreh rëndësinë që ka për të kjo festë. “Këtu në qendër ku jemi tash, të gjithë kanë qenë serb dhe në mbrëmje sidomos nuk ke guxuar as shqip të flasësh. Tash është liri dhe duhet ta përjetojmë e ta ndërtojmë shtetin, ta bëjmë të fortë, ta rregullojmë jetën, në mënyrë që të mos na kthehen më ato ditë. Tash është kënaqësi ta shohësh sheshin e Vitisë dhe të të gjitha qytetave tjera të Kosovës me plot flamuj kuq e zi”, shprehet Enveri.
Azizi, tregon se e ka përkrahur me qef të madh këtë dëshirë të Enverit. “Natyrisht se kjo është ditë e shënuar për të gjithë shqiptarët, pavarësisht se gjysma e tyre kanë mbetur jashtë trungut. Por dhashtë zoti që shpejt do të festojmë të gjithë të bashkuar në një shtet të vetëm. Ne sigurisht se 200 vjetorin e shpalljes së shtetit shqiptar nuk do të mund ta presim, prandaj vendosëm që sivjet të jemi në Vlorë. Është kënaqësi të shohësh të stolisur qyte”, thotë Azizi.
Ai tha se do të vizitojnë edhe vende tjera historike interesante, siç është Muzeu Kombëtar, për të parë origjinal “Mesharin” e Gjon Buzukut dhe përkrenaren e Skënderbeut.
E, Valmiri ndonëse i lindur dhe i rritur në Norvegji, e komenton shkurt ardhjen e tij nga Osllo për të festuar në Vlorë: “Nuk prituar hiç me ardhë. Unë jam shqiptar”, tha Valmiri.