xhelal_shabiuInspektori komunal i Ambientit, Xhelal Shabiu, nuk ka vetëm fjalë për pastrimin e ambientit dhe gjoba për ata që e ndotin atë, por të dielën vet i kishte vënë dorëzat dhe po pastronte hapësirat publike në Smirë, në kuadër të një aksioni të organizuar nga Këshilli i Fshatit. Ai thotë se është i gatshëm kurdoherë t`iu bashkohet nismave të tilla. “Rrethi ku jetojmë është pasyrë e jona.

Prandaj duhet të mbahet si duhet. Edhe pse më mirë do të ishte sikur mos të hudhej asgjë në natyrë. Por edhe kur kjo ndodhë, dikush duhet të jetë i gatshëm t`ia kushtojë disa orë vendit ku jeton dhe të kujdeset të jetë i denjë”, thotë inspektori Shabiu.

 

Jahja Zuka, thotë se aksioni është përkrahur mjaft mirë, por ka shumë baroja përskaj rrugës që duan punë dhe rrjedhimisht duhet edhe më shumë masovitet. “Ka pasur gati 30 veta që kanë dalë vetëm paradite në pastrimin e rrugës kryesore, prej Drobeshit e deri te varrezat ortodokse. Kemi punuar mjaft, po shihet deri në mesditë vetëm mbeturina kemi mbledhur rreth 30 thasë të mëdhenjë. Mirëpo, iu bëj ftesë edhe tjerëve që të dalin sepse ka shumë punë për të bërë”, thotë Jaha, i cili për këtë aksion kishte siguruar thasët.

Ndërkaq, Njazi Fejzullahu, i cili u ka siguruar dorëza pune aksionistëve, tregon se janë pastruar edhe shahtat sepse ishin të mbyllur nga rëra e fundërrina tjera. “Unë gjithmonë kam qenë ithtar që të bëjmë aksione të rregullta, bile njëherë në muaj. Jam i gatshëm të ndihmoj me mjete të punës dhe mund ta ofroj kamionetën për të grubmulluar mbeturinat. 

Është mirë ta mbajmë ambientin siç na ka hije”, thotë Njaziu.

Një grup tjetër i banorëve, po pastronte në anën tjetër të Smirës, në Bjeshkallavë, afër varrezave.

Administratori i fshatit, Bekim Azizi, thotë se aty përveç punës së krahut, kanë punuar edhe me mjete të rënda. “Në këtë pjesë kemi pastruar mbeturinat dhe kemi rrafshuar me buldozer terrenin. Mendojmë të punojmë akoma. Kjo është një ngjarje e mirë që po ndodhë në fshat, sepse mbeturinat e hedhura vend e pa vend i japin pamje të keqe rrethit. Po e shqyrtojmë mundësinë që aksionin ta bëjmë të rregullt. Bile një herë në muaj. Ka propozime që të jetë e diela e fundit e çdo muaji ditë pastrimi. Atëherë do të kemi ambient si duhet”, thotë Bekimi.

Sidoqoftë, aksionistët u pajtuan që të vazhdojnë punën edhe të dielën e ardhshme, më 21 tetor 2012, nga ora 9:00 e mëngjesit. Por, u bëjnë thirrje të gjithëve që të dalin sa më shumë për të mirën e përgjithshme të shoqërisë.

Leave A Reply