NitaDonita (Musa) Haliti e Kushtrim (Nazer) Zuka nga Smira dhe Diellza (Masar) Kameri nga Kabashi, janë paraqitur në mënyrë të denjë, në kuizin e diturisë të organizuar nga Ministria e Diasporës e Qeverisë së Kosovës në Prishtinë. Ata janë vlerësuar lart për njohuritë që kanë treguar nga gjuha, historia dhe kultura

shqiptare. Në këtë garë ishin të ftuar nxënës e arsmitarë nga të gjitha shtetet e Evropës ku mbahet mësimi plotësues në gjuhën shqipe, mirëpo kishin ardhur vetëm nga Austria, Zvicra, Gjermania dhe Belgjika. Donita, Kushtrimi dhe Diellza ishin të ftuar si ekip fitues në Austri, në kuizin e diturisë nga mësimi plotësues në Gjuhën Shqipe. Pyetjet ishin nga: Gjuha dhe Letërsi Shqipe, Histori-Gjeografi dhe Art-Kulturë.

 

Donita, nxënëse e klasës VIII, në qytetin austriak Radstadt, shprehet e kënaqur që kishte marrë pjesë në këtë ngjarje të veçantë. “Kemi kaluar shumë mirë. Kemi bërë garë, kemi mësuar gjëra të reja nga njëri-tjetri dhe jemi shoqëruar me nxënës e mësues shqiptar nga shtetet tjera. Kjo është një gjë e mirë që po ndodhë, në mënyrë që fëmijët shqiptarë në diasporë të motivohen edhe më shumë për të mësuar më shumë gjuhën amtare dhe për t`u marr me aktivitete të lira dhe edukative. Në përgjithësi ka qenë një përvojë e mirë dhe e re për ne”, shprehet Donita.

Ajo, ndonëse kishte migruar në Austri me familje, kur i kishte pasur vetëm tre muaj, flet rrjedhshëm gjuhën shqipe. “Unë që nga klasa e tretë shkoj në mësim plotësues për Gjuhën Shqipe. Dy herë në javë na mëson mësuesja Armida Biçaku-Halo. Ajo është e përkushtuar që ne të mësojmë sa më shumë dhe sa më mirë gjuhën tonë. Përveç në shkollë, ne edhe në shtëpi flasim vetëm shqip, sepse nuk duam ta harrojmë. Aty ku jetojmë ne ka shumë shqiptarë, por mësimin plotësues e ndjekin pak nxënës”, tregon për portalin tonë Donita, të cilën e takuam në Smirë. Deshëm ta takonim edhe Kushtrimin, por ai tashmë ishte kthyer në Austri

Donita përveç mësimit, merret edhe me aktivitete të lira. Në vitin 2010 ajo kishte marrë pjesë në një shfaqje në qytetin ku jeton dhe organizatori kishte vendosur që mjetet e mbledhura, t`ia japë Donitës që t`i sjellë në Kosovë për çështje humanitare.Ajo, në bashkëpunim me xhaxhain e saj, Samiun, kishte zgjedhur katër familje të varfëra ose që kanë anëtarë të sëmurë në Viti dhe secilës ua kishte ndarë 500 euro.

Në ndërkohë, derisa bisedonim me Donitën dhe axhallarët e saj, shoqërisë sonë iu bashkua edhe mësuesi i Gjuhës Shqipe në mësimin plotësues në Vjenë, Osman Ademi. Ai si kryetar i Shoqatës së Mësuesve dhe Prindërve Shqiptar në Austri, kishte shoqëruar ekipin fitues nga Austria në kuizin në Prishtinë. “Jam krenar me ta. Kanë qenë shumë të mirë, ndonëse shorti kishte vendosur që t`iu bien pyetje më të rënda se tjerëve. Sidoqoftë ata u paraqitën mjaft mirë. Ishin të qetë dhe të koncentruar, duke treguar zgjuarësi. Unë ndihem mirë edhe për faktin se në ekip ishin edhe dy smiras: Donita dhe Kushtrimi, dy nxënës të dalluar dhe të përkushtuar ta kultivojnë gjuhën e të parëve të tyre”, thotë Osmani, i cili që nga viti 1999 punon si mësues me nxënës shqiptar që ndjekin mësimin potësues në Gjuhën Shqipe.

Osmani shpjegon se mësimi në Gjuhën Shqipe zhvillohet në kuadër të sistemit publik të shkollimit në Austri. “Në disa lande apo rajone, nxënësit marrin edhe notë në libreza nga mësimi plotësues, kurse në disa, vetëm iu shënohet se ka marrë pjesë në mësim plotësues. Mësimi zhvillohet dy herë në javë, kurse në gjithë Austrinë janë 23 mësues”, thotë Osmani.

Ai thotë se interesimi për përfshirjen e nxënësve shqiptarë në këtë lloj mësimi, akoma lë për të dëshiruar. “Marrë në përgjithësi niveli i ndjekjes së mësimit plotësues është konstant, nga viti në vit. Nuk ka rritje të numrit të nxënësve, por nuk ka as rënie. Përafërsisht diku rreth 20-25 % e nxënësve shqiptarë marrin pjesë në mësimin plotësues në Gjuhën Shqipe. Ne po mundohemi t`i motivojmë dhe t`i sensibilizojmë prindërit që të sjellin fëmijët e tyre, sepse fundja nuk humbin asgjë dhe nuk paguajnë fare. Për këtë kujdeset shteti austriak. Pse të mos shfrytëzohet kjo e mirë që na ofrohet. Përndryshe, prej vitit 2001 ne organizojmë edhe të qshtuquajtura kampionate apo konkurse të diturisë nga Gjuha, Historia, Arti e Kultura Shqiptare, nën moton ‘Ta njohim atdheun,që ta duam më shumë’. Në to marrin pjesë shumica e nxënësve shqiptarë. Çdo vit unë e kam pasur barrën e organizimit dhe të udhëheqjes së këtyre kuizeve. Por organizojmë edhe takime e aktivitete tjera artistike e kulturore”, thotë Osmani.

Ai vlerëson se rolin kryesor në kultivimin e gjuhës amtare në mërgim e kanë prindërit, sepse ata duhet të kujdesen dhe të flasin më shumë me fëmijët e tyre. “Kam bërë analiza dhe hulumtime përmes anketave dhe kam ardhur në përfundim se me fëmijë duhet të punohet më shumë. Jo vetëm sa i përket ruajtes së gjuhës amtare, por edhe të kultivimit të gjuhës së shtetit ku jetojnë aktualisht. Në praktikë e kam vërejtur që nxënësit nuk kanë shprehje të majftueshme. Nganjëherë për gjërat që nuk i kuptojnë në gjuhën shqipe, kërkojnë sqarime në gjuhën gjermane, por edhe në këtë gjuhë nuk njohin shumë fjalë, sepse e flasin gjuhën e ambientit, që quhet dhe jo atë standarde. Pra unë i lus prindërit që të bisedojnë më shumë më fëmijë dhe t`ju shpjegojnë gjërat”, thotë mësuesi Osman Ademi.

Leave A Reply