KLASA_MODEL_008Nxënësit e klasës së katërt në Shkollën fillore “Dëshmorët e 5 Prillit”, në Smirë, mbetën sot të habitur kur hynë në klasën e tyre të renovuar dhe të pajisur me inventar dhe mjete krejt tjera. Renovimi u bë në kuadër të projektit “Classroom Makeover”, të Programit për arsimin themelor të USAID-t. “Uauuuu!!! Shumë-shumë mirë. Të gjitha qenkan të bukura. Jam shumë

falënderuese për këtë që e keni bërë për ne”, thoshte Diamanta teksa mbulonte faqet me duar nga habia, kurse sytë i shkëlqenin nga kënaqësia.

 

Në kuadër të këtij projekti USAID ka ofruar ngjyrat për mure dhe karrige, tavolina e dollapë si dhe mjetet e punës, kurse disa prindërit, arsimtarë dhe nxënës kanë punuar dy ditë për t`I ngjyrosur muret, karriget dhe pjesët tjera të nevojshme për nevojat e këtij modeli të klasës, që quhet Klasa e shek. XXI.

Njëri nga prindërit që u dha  formën kornizave të tavolinave dhe  saldoi karriget, Fahredin Zuka, thoshte se është dobësi kur njeriu mund të ofrojë diçka për komunitetin dhe nuk e bën këtë. Ai kishte lënë punën e tij dhe po jepte kontribut vullnetar bashkë me të birin e tij-Besfortin.

Projektin për krijimin e klasës model e ka inicuar arsimtari i Gjuhës angleze Arif Zuka, i cili ka aplikuar në faqen e internetit të këtij projekti. Ai thotë se në fillim disa prindër dhe kolegë të tij nuk kanë besuar se mund të realizohet ky projekt. “Disa më kanë thënë se kjo nuk qenka asgjë dhe vështirë të arrihet diçka me këto gjëra që ka ofruar donatori. Por, qëllimi ka qenë të japim shembull se si me pak punë dhe pak investime mund të bëhen ndryshime të pabesueshme. Shikoni, tashti kjo klasë nuk gjason fare me klasën e mëhershme. Sikur të jesh në një vend tjetër. Është tamam klasë model e shekullit XXI, si në çdo vend tjetër perëndimor. Jam shumë i lumtur që e kemi arritur këtë bashkë me pak prindër dhe arsimtarë. Psh disa kanë ndihmuar  edhe me mjete financiare: 

Mustafe Abdyli   10 euro,  Afrim Halili  10 euro, Elmaz Sahiti 10 euro, Enver Arifi 10 euro, Gazmend Hyseni  5 euro dhe 13 arsimtarë kanë dhënë nga 1 euro”, thotë arsimtari Arif.

Mësuesja Saranda Jetishi po iu uronte nxënësve të saj klasën e re me porosinë që ta ruajnë dhe të mësojnë edhe më shumë. “Kjo është pra klasa jonë e ndryshuar. Sigurisht që po ju pëlqen. Por, ju lus të keni kujdes sepse ne duhet t`ua dimë për nderë të gjithë atyre që kontribuan dhe punuan për këtë”, u thoshte nxënësve mësuesja Sarandë.

Drejtori i shkollës Naim Agushi, i cili edhe vet ka ndihmuar me punë, është poaq i kënaqur me këtë projekt. “Ky është shembulli më i mirë që tregon dhe dëshmon se çka mund të bëjë bashkëpunimi i mire i prindërve me mësimdhënës dhe me shkollën në përgjithësi. Besoj se ky projekt do të ketë shumë efekte: do të ndikojë në ngritjen e cilësisë në mësim dhe do të motivojë të tjerët që të ruajnë apo përmirësojnë ambientet e mësimit.

Dua të falënderoj prindërit që kanë kanë dhënë kontribut dhe e kanë mbështetur aksionin: Fahredin Zuka me djalin Besfortin, Zekir Misini, Zekerja Zuka, Tefik Salihu, Jahi Maliqi me djalin Valdrinin, Agim Misini, Gazmend Hyseni, Bujar Misini, Ibush Ramadani si dhe arsimtarët Arif Zuka,  Shaqir Ibrahimi e Saranda Jetishi nxënësin Halil Zuka dhe punëtorin teknik Ymer Bajrami. Poashtu i jemi mirënjohës mërgimtarit Ilir Zukës me qëndrim në Gjenevë, i cili për këtë projekt dhuroi 200 euro”, thotë drejtori Agushi.

Edhe mësimdhënës dhe nxënës tjerë parreshtur vinin për të parë klasën model në Smirë. Kurse kishte të atillë që e quanin klasën “bukuroshja e shkollës”.

Programi i USAID-it për Arsimin Themelor ka për qëllim përmirësimin e kapacitetit të shkollave të Kosovës për të pajisur nxënësit e tyre me shkathtësitë përkatëse. Qëllim kryesor është përmirësimi i kapacitetit institucional të Qeverisë së Kosovës në sektorin e arsimit dhe përmirësimi i cilësisë së arsimit fillor. Projekti “Classroom Makeover”, i Programit për arsimin themelor të USAID-t, është realizuar edhe në disa shkolla të Kosovës.

Leave A Reply