“Në disa pjesë të varrezave nuk ke mundur as të kalosh. Disa varre kanë qenë krejt të mbuluara me therra, kërrpnaja e barnishta. Kjo nuk është pasqyrë e mirë për fshatin. Unë i angazhova tre punëtorë të cilët kanë punuar tri ditë rresht dhe pak a shumë tashti është më mirë. Edhe unë kam punuar bashkë me ta”, thotë axha Bahri.
Sipas tij, të hollat me të cilat i ka paguar punëtorët janë mbledhur gjatë verës nga mërgimtarët dhe nga banorët e Smirës për gypat që janë vendosur përreth tyre, kurse ai thotë se rrethojën e varrezave që ishte dëmtuar gjatë rregullimit të rrugës e kanë siguruar Ismajlhaki Zuka dhe Mentor Ibishi.
“Disa pare tepruan dhe thashë t`i pastroj varret. Të them të drejtën më kanë mbetur edhe 30 euro, por nuk po mund të gjej punëtorë, sepse ka edhe pak punë në një skaj të varrezave”, thotë axha Bahri.
Imami i fshatit Mulla Gafurr Ramadani shprehet i brengosur për gjendjen e varrezave të fshatit në përgjithësi. Thotë se kjo nuk është pamje e mirë për fshatin, por as për kalimtarët apo mysafirët që vijnë.
“Ne turpërohemi kur në varrime, së pari duhet të heqim therrat dhe shkurret që i kanë mbuluar varret dhe gurët e varreve, sepse përndryshe pjesëmarrësit nuk kanë si të rrinë. Kjo është kulturë e keqe. Është paradoksale që veturat, shtëpitë dhe oborret i kemi luksoze, kurse të parët tanë, t`i trajtojmë në këtë mënyrë-eshtrat e tyre t`i lëmë në therra. Ja unë jam munduar që këtë pjesën nga shtëpia ime ta pastroj dhe të krijoj një si rrethojë natyrale, sepse këtu nuk kalohej”, thotë imami i fshatit.
Sipas tij, fshati duhet të bëjë një zgjidhje, psh. duke angazhuar me pagesë ndonjë punëtor të rregullt që do të mirëmbante dhe rregullonte varrezat, siç bëjnë disa fshatra.
Nëse këtë çështje e shikojmë nga aspekti historik, është për lakmi se si popujt që i kanë lënë botës trashëgiminë kulturore, varreve dhe tempujve u kanë kushtuar rëndësi të madhe. Në Egjiptin e lashtë, para 5000 vjetësh, piramidat kanë qenë varre, ku përveç kufomave, janë vendosur edhe sendet personale të faraonëve dhe të gjitha të arriturat e tjera teknike dhe teknologjike të asaj kohe. Në piramida janë vendosur ose vizatuar vepra të ndryshme të artit dhe kulturës dhe shumë kopje veprash të letërsisë dhe artit. Nëpër piramida nuk janë gjetur të dhëna vetëm për faraonët e perandorisë egjiptiane por edhe për të gejithë botën e atëhershme. Edhe në periudhat e mëvonshme, sarkofagu ka shërbyer si varr, kurse përveç kufomave aty janë gjetur shumë të dhëna për periudhën pararomake. Aty gjejmë ligje nga e drejta penale, e drejta civile, pronësore dhe administrative.
“Varrezat janë një element shumë i rëndësishëm i popujve të civilizuar. Ato janë hallkat që lidhin brezat e historisë. Në rast se nuk ke varreza, nuk ke histori. Nuk ke jetuar, nuk ke kontinuitet, nuk je asgjë”, thotë në shkrimet e saj Nermin Vlora Falaski.