Kryetari i Shoqatës së të Burgosurve Politikë në Viti, Xhevat Haziri, ka thënë se ky aktivitet ka dy qëllime: Regjistrimin e kësaj kategorie të njerëzve në Kosovë, me qëllim kompensimin e tyre por edhe mbledhjen e shënimeve me të cilat do të argumentoheshin faktet se ne kemi qenë të okupuar dhe kemi pëjetuar dhunë dhe represion.
“Sipas Ligjit për të drejtat e ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politikë parashihet kompensimi i këtyre personave. Por, kriteret, forma, afatet dhe modalitetet e tjera të kompensimit rregullohen me akt të veçantë. Me këtë ligj rregullohet statusi i ish-të dënuarit politik, i ish-të burgosurit politik dhe i ish të përndjekurit politik. Të drejtat e tyre të veçanta nga sigurimi pensional dhe invalidor, të drejtat në kompensim për dëmtimin e shkaktuar si pasojë e burgimit, e dënimit ose e persekutimit dhe të drejtat e anëtarëve të familjes së ngushtë të tyre. Statusin e personave të përcaktuar me këtë nen e gëzojnë këto kategori: Ish-i dënuari politik; Ish-i burgosuri politik; dhe Ish-i përndjekur politik.Statusidhe të drejtat e personave nga neni 3 i këtij ligji u njihen për periudhën e sundimit të regjimeve totalitare, që nga vendosja e tyre, përkatësisht nga data 1 mars 1913 deri më 12 qershor 1999, përkatësisht për të dënuarit, që kanë mbetur në burg deri në lirimin e tyre”, tha Haziri.
Ish-i burgosur politik, sipas këtij ligji konsiderohet personi i arrestuar, i mbajtur në vend të caktuar në izolim dhe i burgosur për motive, për qëllime dhe për interesa politike, më tepër se shtatëdhjetedy (72) orë në lokalet e organeve të ndjekjes, përkatësisht në kampet e ndryshme të institucioneve zyrtare të sigurisë (të policisë, të ushtrisë, të shërbimit sekret).
Ish-i përndjekur politik, sipas këtij ligji konsiderohet personi-qytetari i Kosovës, kundër të cilit me akt juridik të organit kompetent janë marrë masa ose veprime politike–juridike, që kanë ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, në masën e suspendimit ose të ndërprerjes së marrëdhënies së punës, të shkollimit, marrjen e lejes, respektivisht ndalesën për ushtrimin e veprimtarisë me mjete në pronësi personale, për shkak të bindjeve dhe të përcaktimit të tyre ose të lidhjeve të drejtpërdrejta ose të tërthorta me persona, të cilët janë dënuar dhe janë përndjekur në bazë të dyshimit të supozuar politik ose të inkriminimit politik.
Kryetari i Shoqatës së të Burgosurve Politikë në Viti, u bëri thirrje të pranishmëve, që u takonin këtyre kategorive, që të kontaktojnë sa më shumë njerëz në fshat në mënyrë që të gjenden dokumentacion që vërteton se personat përkatës i takojnë kësaj kategorie, në të kundërtën nëse nuk gjenden dokumentacione, atëherë kjo mund të dëshmohet me tre dëshmitarë. Ai ka thënë se dokumentet dhe të dhënat për këto kategori mund të dërgohen në këtë shoqatë deri në fund të muajit nëntor.