Naim Sejdiu po ngarkonte në traktor thesin e fundit me grurë nga parcela e tij, në Lagjen e re në Smirë, për t`i dhënë fund kështu mbledhjes së bukës së re për sivjet. Ai thotë se kanë pasur dy hektarë të mbjellur me grurë në pjesë të ndryshme dhe kanë marrë rendimente të mira.
“Mesatarisht i ka ardhur 4 mijë e 500 kilogramë për hektarë, që për rajonin tonë tradicionalisht është mirë. Disa parcela kanë paguar më mirë, disa më dobët për shkak të barojave të këqija, ndonëse i kam spërkatur”, tregon Naimi. Ai thotë se këtë e ka punë dytësore sepse punon si inspektor i minierave dhe mineraleve në Komisionin e Pavarur të Minierave dhe Mineraleve të Kosovës. Megjithatë, sipas tij, toka ia vlen të punohet dhe të mos lihet djerrë asnjë pëllëmbë. “Ara nuk duhet të lihen pa mbjellë, sepse degradohen dhe infektohen nga barojat e këqija dhe bakteriet dhe pastaj është vështirë të kthehet në gjendjen e mëparshme. Përveç kësaj nëse e mbjell vet, e di çka merr, sepse këto prodhimet që iblejmë nuk dihet çka përmbajnë dhe si janë kultivuar. Familja jonë e kemi të siguruar miellin për 3-4 vitet e ardhshme”, thotë Naimi. Sipas Naimit, ia vlen të punohet, pavarësisht se ka harxhime dhe fshatarët duhet të punojnë më shumë arat, sepse edhe ashtu Kosova nuk e siguron bukën e vet.
Këtë e dëshmojnë edhe ekspertët bujqësorë. Kosova as gjatë këtij viti nuk do të arrijë t’i plotësojë nevojat e popullatës për ushqim nga rendimentet e grurit, thonë zyrtarë të Ministrisë se Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe përfaqësues të bujqve kosovarë. Adil Behramaj, zëdhënës në Ministrinë e Bujqësisë, thotë se nga korrje – shirjet esivjetme, Kosova do të përmbushë nevojat e rreth 60 për qind të konsumit të brendshëm. Ai tregon se gjatë një viti, Kosova shpenzon 410 mijë tonë grurë, ndërsa prodhimi vendor gjatë dekadës se fundit ka arritur deri në 280 mijëhektarë grurë.
Tahir Tahiri, udhëheqës i Federatës së Sindikatës së Bujqve të Kosovësi, konsideron se për përmbushjen e nevojave të popullatës me ushqim, nevojitet që nga një hektar tokë të sigurohen deri në tetë tonë grurë. Por, për këtë, ai thotë se nevojitet që bujqit të mbështeten nga autoritetet kompetente. “Kosova nuk ka tokë të mjaftueshme për të siguruar bukën, por ka tokë shumë kualitative. Dhe më një bujqësi moderne do të arrihen rendimente jashtëzakonisht më të larta, siç është në rajon dhe në shtete tjera moderne, rreth 8 tonë për hektarë, dhe atëherë një qind për qind do të sigurojmë bukën e popullatës se Kosovës”, shprehet Tahiri Për fushatën e korrje – shirjeve, Qeveria e Kosovës ka ndarë 500 mijë euro për subvencionimin e pronarëve të auto-kombajnave, të cilët kanë përfituar derivate të naftës me çmim më të lirë deri në 30 për qind nga çmimi aktual. /fshatismire.com & rel/