Sherifi_dhe_NAseri_4_320x200Më 9 prill u bënë 12 vjet nga Beteja e Koshares për thyrjen e kufirit të vendosur artificialisht midis shqiptarëve.  Ky  ishte  moment i rëndësishëm i  luftës çlirimtare të UÇK-së. Por,  Epopeja e Koshares kishte gjithë madhështinë dhe lavdinë e saj deri në çlirimin përfundimar të Kosovës.

 

Aty u shtri bashkë, në një vend dhe në një kohë, gjithë atdhedashuria dhe përkushtimi për liri, i djemve dhe vajzave të ardhur nga e gjithë Kosova,  nga trojet shqiptare dhe nga  diaspora.  Të tillë, të gatshëm të sakrifikojnë çdogjë  për atdheun kishte edhe smiras. Dy nga ish-luftëtarët e UÇK-së nga fshati Smirë,  pjesëmarrës në Luftën e Koshares më 1999, Naser Arifi dhe Sherif Azizi, në përvjetorin e Betejës së Koshares, e kujtojnë në përgjithësi Epopenë e Koshares, si periudhë të veçantë në jetën e tyre dhe në historinë e re të  Kosovës. Ata  evokojnë me emocione,  copa të kujtimeve nga  ajo kohë e vështirë por njëkohësisht edhe lavdishme që kanë kaluar si ushtarë të kombit.
“Më 7 prill të vitit 1999 nga  Graci i Austrisë, ku isha duke studiuar Elektroteknikën, kam ardhur në Durrës. Në restorantin ‘Drenica’ jam regjistruar dhe kam vazhduar për në Elshan të Kukësit në qendrën stërvitore ushtarake. Aty kam  qëndruar në disa ish-kazerma të Ushtrisë shqiptare. Në Elshan e kam takuar Mifail Ramadanin të Hoxhoviqe që jeton në Drobesh dhe Bujar Hysenin. Dhjetë ditë kam bërë ushtrime dhe jam nisur për në front, te Vrojtoret në Batalionin e Dytë që udhëhiqej nga Hysen Berisha. Kjo pjesë ka qenë në pjesën e Kosovës”, kujton Naseri momentet e para të kyçjes në UÇK. Pasiqë lokacioni që UÇK-ja e ka quajtur te Vrojtoret nuk ishte pikë neuralogjike e luftës në atë kohë, Naseri tregon se është kthyer në Padesh dhe aty ka hasur në një befasi të këndshme.
“Mora vesh se aty ishte Sherif Azizi, i cili kishte ardhur nga Rrasa e Koshares  (Rrasa e Zogut) për t`u pastruar dhe për t`u mjekuar pasi që kishte disa probleme me këmbë. Ka qenë takim shumë i përmallshëm dhe interesant. Kurrë nuk i harroj ato emocione. Kam ndjerë gëzim të madh që e  takova Sherifin aty, sepse kishim dëshirë të kemi sa më shumë bashkëluftëtarë nga ana jonë”, kujton Naseri ato momente. 
Sherifi ndërhynë duke pohuar se lufta i ka edhe të veçantat e veta, siç ishte takimi me Naserin dhe  Enverin , në Koshare. “Natyrisht, kjo është ndjenjë e mirë sepse të bën të ndihesh edhe më i fortë, kur ke njerëzit e tu afër”, thotë Sherifi. 

Pastaj, Sherifi rrëfen se nga Padeshi, secili me togun e vet kanë shkuar në pikat e UÇK-së te Rrasa e Zogut, ku janë bërë luftimet më të ashpra.  Naseri duke ia vërtetuar ato që thotë Sherifi,  tregon se aty është zhvilluar luftë e ashpër dhe e pandërprerë 24 orë.

“Ishim nga dy veta në istikam. Njëri rrinte  në pozicion dhe gjuante, kurse tjetri flinte poshtë te këmbët e tij. Pastaj bëhej ndërrimi, ai që kishte pushuar pak, zinte pozicionin dhe  gjuante, kurse ky tjetri flinte”, thotë Naseri.

Ai tregon se pozicionet e UÇK-së vazhdimisht janë granatuar nga minahedhësit serbë. Natyrisht  se ka pasur edhe humbje në njerëz, të plagosur dhe dëme në teknikë dhe pozicione nga të dyja anët.
Naseri kujton me emocion edhe momentin  kur e ka takuar në front  të vëllanë-Enverin. “Enveri ishte në Gjermani, i thashë në telefon se do të nisem për luftë. Edhe ai më tha se po nisej poashtu me disa shokë.  Por nuk e kam ditur ku është. Për disa ditë me radhë unë e kam rrahur të njëjtën rrugë, fare afër në bunkerët ku rrinte edhe Enveri, por nuk e kam ditur që është aty. Mandej, pyeta a ka ndonjë ushtarë të komunës së Vitisë. Më thanë se është një Enver nga Smira.  Edhe ky takim ka qenë shumë emocional, sepse nuk ma ka marrë mendja se do të takoheshim bash te Rrasa e Koshares. Ka qenë rastësi e  quditshe.  Enveri ka qenë në Njësinë speciale dhe nuk ka qëndruar  në një ved, por jemi takuar vazhdimisht  me të. Poashtu edhe me Sherifin kemi kontaktuar. Në atë pjesë ka qenë edhe  Mifail Ramadani, por ka pasur edhe ushtarë tjerë nga komuna e Vitisë”, tregon Naseri.

Edhe Sherifi tregon për takimin e befasishëm  me Enverin, pasi që nuk e kanë  njohur njëri-tjetrin.  Sherifi kishte ardhur nga Gjermania  në frontin e luftës bashkë me Murat Bunjakun dhe Safet Rexhepin. Të dy janë plagosur, por Safeti,  të cilin Sherifi e ka pasur edhe shok të mirë edhe bashkëluftëtarë togu, siç dihet ka rënë dëshmor. Sherifi, paraprakisht  kishte qëndruar një kohë në Kolsh, në bunkerë të ndërtuar në kohën e Enver Hoxhës. Ai duke kujtuar momente nga koha e luftës thotë se ka pasur vështirësi dhe probleme,  për shkak

 të ftohtit, sepse në fillim ka fjetur në borë, derisa i kanë hapur bunkerët. Edhe terreni i panjohur ka qenë telashe në vete, por gjëja që më së shumti i ka goditur, sipas tij,  ka qenë humbja e bashkëluftëtarëve ose plagosja e tyre.
“Dëshmorët Hoxhë Jonuzin nga Skifteraj dhe Safet Rexhepin nga Zhitia i kam bartuar të plagosur. Të dy kanë treguar trimëri të pashoqe dhe përkushtim maksimal për qëllimin madhor-çlirimin e atdheut. Kanë qenë shokë dhe luftëtarë të mrekullueshëm. Është shumë vëshitrë dhe dhembje e madhe kur humb shokët e pushkës. Por, luftë ishte. Duheshte të përballeshe edhe me  situata të tilla, shumë të rënda. Poashtu bashkë me disa shokë e kam tërhequr të plagosur Shpëtim Agushin nga Peja. Katër orë  i kemi bërë derisa e kemi dërguar në Padesh”, tregon Sherifi. 
Shokët e luftës, me respekt,  i kujton edhe Naseri. “Nga togu ynë dëshmorë kanë rënë Ymer Kryeziu dhe Fatmir Kërçeli, kurse janë plagosur Sadik Morina, Naser Morina, Maliq Dragusha, Isa Limani, Emsad Berisha. Edhe unë kam qenë fare afër tyre, por për fat kam shpëtuar  pa lëndime, kur ka rënë predha”, rrëthen Naseri. Mirëpo, tani 12 vite pas, ish-luftëtarët e Smirës, Naseri, Enveri e Sherifi, pas gjithë asaj  që përjetuan në luftë,  ndihen të relaksuar që e kanë kryer me sukses misionin e tyre-dëbimin e forcave serbe nga Kosova. Ata tregojnë se kanë qenë disa herë pas luftës në zonat ku kanë luftuar për të përkujtuar ato momente dhe gjithë Epopenë e Koshares.  Sipas tyre, ajo hyn në radhën e betejave më të veçanta të historisë sonë, jo vetëm sa i përket përmasave që ka pasur, por edhe për mënyrën e organizimit, me sukseset e arritura dhe me vet synimet e saja. Meritat për suksesin e asaj beteje bien mbi të gjithë eprorët dhe ushtarët që morën pjesë dhe dhanë kontributin e tyre. /fshatismire.com/

 

 

 

 

 

Leave A Reply