Në ditën kritike, forcat paramilitare serbe që nga ora 8:00 e mëngjesit, filluan një ofensivë skatërruese, duke përdorur metodat më të vrazhda, me qëllim dëbimin e popullatës nga shtëpitë dhe shkretimin e fshatit. Në këtë “valle të dreqit” fshati është sulmuar nga ana lindore, prej bazës ushtarake të Kabashit. Fillimisht është gjuajtur me mortajë shtëpia e Selman Selmanit, për të filluar breshëritë e armëve në lagjet Laçaj, Pllanaj dhe Cernaj. Pastaj bëhet rrëmujë. Paramlilitraët serbë fillojnë të përdorin dhunë mbi fshatarët, të cilët i kishte kapur paniku. Në këtë katrahurë në lagjen Laçaj, rrahen Fatmir Hajrullahu, Mifail Ymeri, Fehmi Rexhepi (nip nga Komogllava), Bekim Bela (nip nga Kaçaniku) etj, kurse në lagjen Pllanaj: Mustafë Ibrahimin, Ramush Latifin, Basri Latifin, Valbonë Ibrahimin dhe Musli Latifin.
Llahtaria ka vazhduar edhe në Lagjen Cernaj, kurse kulmi i dhunës ndodhi në shtëpinë e Hysni Ahmetit, i cili e kujton tmerrin e asaj dite.
“Në oborrin tim kanë qenë nja 500 veta të lagjes sonë që kishin lëshuar shtëpitë dhe po kërkonin shpëtim. Kanë qenë nja 30 paramilitarë që ushtronin dhunë ndaj tyre. Në prani të familjes së tij dhe të familjeve tjera që ishin aty, në odën time është rrahur rëndë Ramadan Berati, i cili duke mos u përballuar plagëve të rënda, vdes pas 10 orësh, në shtëpi të vet. Ai është goditur pa masë me dru. Paramilitarët serbë në një dhomë tjetër kanë rrahur dhe përvëluar me ujë të nxehtë 18 djem të ri, të cilët i kishin ndarë nga turma. Kam menduar se nuk do t`i lëshojnë të gjallë, sepse paramilitarët ishin tërbuar fare. Thosha me vete vetëm kur t`ua lëshojnë rafalët e armëve. Pastaj e kanë rrahur rëndë edhe Kadri Sejdiun, i cili kishte shkuar që ta merrte traktorin”, tregon Hysniu.
Gjatë kësaj ofensive serbe, ka pasur edhe maltretime të tjera dhe dëme materiale nga demolimet dhe plaçkitja e shtëpive. Tmerri ka zgjatur tërë ditën. Diku rreth orës 14:00 popullata u urdhërua që ta lëshojë fshatin. “Na thanë shkoni nga të doni, në daçi në Shqipëri, në daçi në Amerikë te Klintoni. Kjo tokë është serbe”, kujton Hysniu, tek u kishin thënë smirasve paramilitarët.
Pastaj i gjithë fshati me dhunë kishte lëshuar shtëpitë dhe ishte rreshtuar në rrugën kryesore. Kolona e makinave, traktorëve dhe qerreve kishte arritur deri në Gërmovë. Qytetarët e Smirës kanë qëndruar në kolonë deri kah ora 17:00 e mbrëmjes, pasi që nuk kanë pasur zgjidhje nga t`ia mbajnë. Në atë kohë, shumica e shqiptarëve të anës sonë largoheshin për në Maqedoni, por kohë pas kohë kufiri në Bllacë mbyllej, prandaj smirasti nuk u nisën për atje dhe vendosën të kthehen nëpër shtëpi, pas një dite të tmerrshme. /fshatismire.com/