“Punën si mësuese e kam filluar në vitin e largët 1969, në fshatin Gërmovë. Pastaj pas një viti e gjysmë jam transferuar në Smirë. Atëherë kemi qenë paralele të ndara në kuadër të shkollës që ka pasur qendrën në Goshicë. Në atë kohë mësimi mbahej në objektin e vjetër te Mejtepi, por më vonë është ndërtuar shkolla e re. Përherë e kam dashur këtë profesion, sepse ndihem mirë, pasi që është diçka e shenjtë kur njohuritë i ndan me të tjerët. Sidomos më herët, kur shoqëria kosovare ka pasur shumë nevojë për mësues shqiptarë”, shprehet mësuesja Habibe e emocionuar nga respekti që po i bënin nxënësit.
E ndoqëm mësuesen deri në klasë, ku po e prisnin nxënësit e klasës së parë, për të marrë dije që do t`u shërbejë për të ardhmen. Aty ajo mori edhe të tjera dhurata dhe buçeta lulesh, në shenjë falënderimi dhe mirënjohjeje për punën që po bën. Mësuesja Habibe thotë se kurrë nuk lodhet duke punuar me nxënës.
Duke bërë një krahasim të mësimit në përgjithësi midis viteve të mëhershme dhe sot, mësuesja Habibe tashti nuk është shumë e kënaqur me nivelin e arsimit.
“Ta them të drejtën kur kemi filluar këtu, kushtet kanë qenë më të mira se sot. Kemi pasur shumë mjete adekuate konkretizimi. Me kalimin e kohës janë shkatërruar ose vjedhur dhe tashti nuk kemi asgjë, përveç dërrasës së zezë dhe shkumsit. Kurse fëmijët janë shumë të mrië, të zgjuar dhe të interesuar për mësim, por janë pak të ri. Edhe plangprogramet mësimore me këtë sistemin e ri janë të ngarkuara dhe nuk mund të përpunohen lehtë. Ato janë paraparë të zbërthehen me qëndrim më të gjatë në shkollë, kurse ne mbajmë nga 3-4 orë pedagogjike të mësimit”, thotë ajo.
Ajo, në moshën 63-vjeçe, edhe dy vite pret të pensionohet, për të përmbyllur një karrierë të bujshme me punë të palodhshme, përkushtim, mund e djersë për një qëllim të shenjtë-edukimin dhe arsimimin e gjeneratave të reja, siç bënë edhe shumë kolegë të saj smiras.
Faleminderit mësuesja jonë-Habibe! /Tefik Salihu/