peisazh_6Në bazë të  regjistrimit të fundit të popullsisë dhe ekonomive familjare që është kryer në prill të vitit 2011, Smira aktualisht ka 4345 banorë, prej tyre 3872 që jetojnë në fshat dhe 473 banorë që janë jorezident.  Smira ka 655 ndërtesa, 675 banesa, 106 banesa të pabanuara, 569 ekonomi familjare.  Sipas kësaj, del se Smira është vendbanimi i tretë më i madh në komunën e Vitisë për nga numri i banorëve, pas vetë qytetit të Vitisë dhe Pozheranit.

Popullata e Smirës gjithmonë ka qenë pjesë e përpjekjeve të përgjithshme të popullit shqiptar, duke luajtur rol të rëndësishëm  dhe duke dhënë kontribut të çmuar për liri dhe pavarësi. Smirasit u përfshinë në të gjitha lëvizjet-aktivitetet kombëtare si dhe në luftërat që janë zhvilluar në të gjitha trevat shqiptare. Si pasojë e shtypjes së vazhdueshme nga pushtuesit, shumë smiras janë detyruar të kërkojnë mirëqenie dhe shpëtim në vende tjera. 

Një pjesë e konsiderueshme e  banorëve të Smirës jetojnë në diasporë: në Zvicër, Gjermani, Austri,  Itali, Suedi, Norvegji, Belgjikë, SHBA, Francë, Angli etj. Ata migruan jashtë, sidomos pas vitit 1981, si pasojë e shtypjes sistematike nga regjimi i atëhershëm jugosllav. Lëvizja më e madhe e banorëve të Smirës drejt vendeve perëndimore u bë gjatë viteve `90-a, kur pushteti serb largoi punëtorët nga puna dhe mbylli shkollat në gjuhën shqipe. Të gjetur në situatë të vështirë, një pjesë e smirasve morën rrugën e mërgimit për të siguruar ekzistencën dhe mirëqenien për vete dhe familjen.  

Mërgata e Smirës ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për vendlindjen, në përgjithësi, si në aspektin kombëtar, ashtu edhe në atë ekonomik. Smirasit  përveç aktivitetit atdhetar  në lëvizje apo  shoqata të ndryshme  gjithkund ku kanë mundur,  kanë ndihmuar financiarisht dhe me të mira të tjera familjet  dhe të afërmit e tyre për të përballuar gjendjen e rëndë, pa punë dhe të lodhur  nga represioni i vazhdueshëm i pushtetit të atëhershëm serb. Disa smiras madje e lanë punën dhe jetën e vet në diasporë dhe iu bashkuan luftës për liri.

Smiras sot ka edhe në Maqedoni (Shkup, Lisicë, Draçevë, Idrizovë…), Shqipëri (Kavajë, Golem, Tiranë…), Turqi (Stamboll, Izmir…), Vojvodinë (Pançevë), Bosnjë e Hercegovinë (Sarajevë, Bërçko…)  Poashtu, ka familje që jetojnë në Viti  (Goshicë, Drobesh, Kllokot, Mogillë, Pozheran…), Ferizaj  (Sazli, Greme…), Prishtinë, Obiliq, Gjilan (Nasalë), Mitrovicë, Kaçanik, Prizren, Rahovec,  etj.

Popullsia  e Smirës tradicionalisht është marrë me bujqësi.  Prej kulturave bujqësore më së shumti kultivohen gruri, misri, patatja, fasulja… por viteve të fundit janë ngritur edhe shumë serra familjare me perime: domate, speca, tranguj.  Poashtu, përveç kësaj, kohët e fundit shumë  njerëz nga Smira kanë themeluar kompani dhe kanë hapur biznese të suksesshme. 

Mirëpo, Smira është e njohur edhe për arsimin e zhvilluar, duke nxjerrë numër të madh  intelektualësh, të cilët kanë bërë karrierë të suksesshme, kudo që i ka quar jeta. Smira sot ka shumë të shkolluar, me fakultet dhe shkolla të larta, në mesin e tyre edhe doktorë  dhe magjistra shkencash.

Administrator i fshatit Smirë aktualisht është Afrim Salihu.  Ai mund të kontaktohet në tel: 044 195 748.

Leave A Reply