-Sipas burimeve arkeologjike, epigrafike e toponomastike, shumë vendbanime në territorin e sotëm të Kosovës janë themeluar në parahistori, gjatë periudhës antike dhe në mesjetë. Jeta e hershme lulëzoi falë kushteve që ofroi natyra e begatshme: malet me pyje të dendura, kullosat dhe fushat pjellore, bota bimore dhe shtazore dhe xehet (ari, argjendi, plumbi, hekuri). Sikurse popujt e vjetër, poashtu edhe ilirët kërkonin të vendoseshin në viset më të përshtatshme për jetë dhe pothuajse shtriheshin në tërë Gadishullin Ballkanik. Në këtë hapësirë udhëkryq të Evropës juglindore lindën dhe u zhvilluan banorët (historikisht) më të lashtë të saj-dardanët, që njëherësh ishin një prej grupacioneve më të mëdha ilire. Dardanët, të bashkuar me fiset tjera-galabrët, thunatët, daunët e të tjerë, krijuan territorin e tyre kompakt dhe kulturën e veçantë, duke i vënë vendit të tyre emrin Dardania. Sipas, Prof. Dr. Edi Shukriu, etimologjia e emrit dardan rrjedh nga gjuha indoevropiane: dardj-a, shqip: dardha, vend i dardhave. Ndër vendbanimet më të vjetra të Dardanisë antike, pra është edhe Smira, që është krijuar para shekullit të II p.k.

-Lashtësia e saj mund të argumentohet në bazë të thesarit të rëndësishëm arkeologjik që ka trashëguar Smira dhe të zbulimeve të bëra nga arkeologët kosovarë, në krye me prof. dr. Edi Shukriun. Në vitin 1988 në muret e xhamisë së vjetër të fshatit, gjatë rrënimit të saj, janë gjetur monumente epigrafike nga koha e Dardanisë kushtuar Perëndeshës dardane (viti 211)- 2 monumente mbivarore stela dhe 3 monumente votive (ara) të cilat janë përdorur në xhaminë e vjetër të fshatit. Këto monumente sot ruhen në Koleksionin Arkeologjik të Fakultetit FIlozofik në Prishtinë. Stela e Smirës është më e hershmja nga ky lloj monumenti epigrafik të zbuluara deri sot.

-Zbulimi i monumenteve epigrafike në Smirë shtron një sërë çështjesh, ndër tjerash edhe prejardhjen e tyre. Nuk ka dyshim se këto monumente me interes të posaçëm, si për nga përmbajtja dhe përpunimi i tyre, janë marrë nga një lokalitet i rëndësishëm i periudhës së dominimit romak në Dardani. Mirëpo, monumentet e zbuluara epigrafike i takojnë një kohe më të hershme që do të thotë se janë përdorur si stoli në kishën e parë, në jug të fshatit.

Lokaliteti i Smirës u formua dhe u zhvillua në rrugën e vjetër tregtare e cila lidhte Ulpianën dhe Artanën me Shkupin dhe më gjerë. Këtë e dëshmon edhe toponimi “Udha e Shkupit”, i cili ruhet në popull, sot e kësaj dite. Smira në atë kohë ishte bërë e njohur si qendër e zhvilluar tregtare, në qendër të qyteteve të mëdha në territorin e Dardanisë antike.

Që nga themelimi i këtij vendbanimi deri në fund të shekullit XII, në një masë të konsiderueshme ishin zhvilluar veprimtaritë e ndryshme ekonomike.

Është vërtetuar se banorët e Smirës antike kanë jetuar në këtë vendbanim edhe gjatë kohës së gurit. Ata kanë gdhendur gurin, duke bërë vegla të punës dhe armë prej guri, deri te skalitja dhe zbukurime të ndryshme.

Pra, banorët e lashtë të Smirës sikurse edhe banorët e tjerë të Ballkanit, kanë pasur aftësi mjeshtërore të përpunonin gurin dhe të gjurmonin nëntokën, duke zbuluar pasuritë nëntokësore, siç ishte hekuri dhe metalet tjera, meqë qysh atëherë bënin shkrirjen e hekurit dhe përpunimin e tij.

Prof. Feriz Ahmeti, ka shkruar në librin e tij “Monografia e Smirës”, se ka gjetur mbeturina të punishteve për shkrirjen e hekurit në tri lokacione: në vendin e quajtur Samakovë, dhe te vendi i quajtur “Lumi i Goshicës”. Përveç kësaj, banorët e këtij vendbanimi merreshin edhe me mjeshtri tjera, si: me përpunimin e qeramikës, pjekjen e gëlqeres, me kultivimin e pemëve, e veçanërisht të hardhisë së rrushit, si kultura më e adhuruar e ilirëve. Në këtë vend, banorët janë marrë edhe me degë të tjera të ekonomisë. Rëndësi të posaçme ka pasur edhe ndërtimi i ujësjellësit, që i ka furnizuar banorët me ujë të pijshëm.

Pra, Smira ishte qendër e përpunimit të gurit, përpunimit dhe shkrirjes së hekurit, përpunimit të qeramikës, përpunimit të gëlqeres, kultivimit të pemtarisë si dhe vendbanim i hershëm me ujësjellës dhe me tempuj të shenjtë. Në bazë të këtyre të dhënave, mund të konstatohet se ky vendbanim antik bënte pjesë ndër vendbanimet më të mëdha dhe më të lashta të Dardanisë antike, sot pjesa e Kovovës qendrore.

Pas luftërave shumëjeçare kundër popujve të tjerë të Gadishullit Ballkanik, e sidomos kundër romakëve, të cilët kishin aspirata për pushtimin e territoreve ilire, përkundër rezistencës së madhe Mbretëria Ilire u nënshtrua dhe më në fund ra nën sundimin e Perandorisë Romake. Po në këtë periudhë është pushtuar edhe Mbretëria Dardane.

Romakët me vendosjen e administratës filluan të përhapnin gjuhën dhe kulturën e tyre. Në këtë periudhë, ilirët e përvetësuan gjuhën dhe shkrimin latin, meqë toponimet e asaj periudhe në trevat e Ilirisë e hasim në gjuhën latine.

Qysh në shek. II dhe III të erës së re, fillon edhe përhapja e krishterimit në trevat e Dardanisë. Pas disa shekujsh të përhapjes së krishterimit katolik, ndërkohë Perandoria Romake ishte ndarë në atë të Lindjes-Bizantit dhe të Perëndimit. Perandoria Bizantine me qendër të Konstantinopojë , më 1054, kur ishte themeluar Kisha e pavarur ortodokse, filloi të përhapë ortodoksizmin në Dardani. Që nga kjo periudhë nën ndikimin e administratës dhe Kishës bizantine, filloi të përhapet ortodoksizmi, e më vonë me pushtimin e trevave të Dardanisë nga ana e sllavëve-serbëve. 

1 Koment

  1. ZENUN REXHEPI - Kabashi (Moravë, Kosovë) on

    Fajala eshte per nje dokument te lashte arkeologjik (epigrafik – sipas dr. Edi Shkuriut). Sa me kujtohet, deri tai eshte fole per simbolin e dielllit, (shek. II i eres sone). Konstatimi se ai paraqet objektin me te lashte epigrafik ne Kosove, nuk qendron, sepse, me te lashta jane, me gjase, vizatimet nga periudha e Kultures se Evropes Qendrore (apo Danubiane), qw shkojne midis 7000 – 3000 vjet para eres se re. (Vizatimet ne Zatriq (Rahovec), e Aqareve (Drenas), ne Mitrovice, ne Runik, ne Prishtine, etj.

Leave A Reply