Një grup prej rreth 20 studentëve gjermanë dhe shqiptarë, që studiojnë në Universitetin Justus-Liebig në Giessen të Gjermanisë dhe në Fakultetitn e Bujqësisë në Universitetin e Prishtinës, ‘Hasan Prishtina’, ka qëndruar të dielën në mbrëmje në Smirë, në kuadër të një shetitjeje njëjavore nëpër Kosovë dhe Shqipëri.

Gjatë këtij ekskursioni, ata,  kanë vizituar ferma, pika grumbulluese të bimëve mjekësore, plantacione, serra, fusha me bimë ekologjike etj, për ta shfrytëzuar njëkohësisht qëndrimin e tyre edhe për qëllime studimore dhe për t`u njohur me vendbanimet dhe mënyrën e jetës dhe të punës së banorëve të këtyre anëve.

Prof. Arben Mehmeti dhe Prof. Rainer Waldhart të  cilët po udhëheqin grupin e studentëve, kanë thënë se në kuadër të këtij projekti ka qenë edhe Konferenca Ndërkombëtare për Mjedis dhe Bujqësi, e organizuar  në Prishtinë në bashkëpunim të këtyre dy universiteteteve dhe DAAD (Shërbimi Gjerman për Shkëmbim Akademik).

Prof. Waldhardt tha se studentët janë për herë të parë këtu, por  atyre që kanë qenë më parë, ju ka pëlqyer ideja prandaj ne e kemi vazhduar këtë praktikë. ‘Është një pjesë e punës sonë për t`u njohur me përvojat dhe kapacitetet që ka kjo pjesë e Ballkanit, sepse gjithsesi është në interes të studimeve tona,por pse jo edhe të socializimit apo njohjes më njerëz të rinj’, ka thënë ai.

Studenti i Menaxhimit të Mjedisit, në Giessen, Johannes Schaumleffel, ka thënë se i ka pëlqyer mikpritja e njerëzve, ushqimi, vedbanimet dhe malet poashtu. Por, ka sugjeruar që shoqëria të investojë më shumë për ambientin, duke bërë më shumë vende të hapura ku njerëzit mund t`i dërgojnë mbeturinat apo edhe  t`i ndajnë ato, sipas përbërjes së tyre.

Afrim Salihu nga Këshilli i Fshatit u ka prezantuar atyre në video sllajde vecantitë, kapacitetet, mënyrën e organizimit, aktivizmin qytetar dhe bukuritë e Smirës.

Studentët nga Gjermania, Kosova e Shqipëria  kanë vizituar edhe fermën e  gjedheve të pronarit Burim Zuka në Smirë dhe janë gostisur te ‘Beni Impex’ me ushqime të përgatitura nga familje smirasve.

Qëndrimin e tyre në Kosovë do të përfundojë me pritjen në Zyrën e kryetarit të Vitisë Sokol Haliti dhe me vizitën në Prevallë dhe Prizren. Sidoqoftë,  ata thanë se u ka pëlqyer  këtu dhe me dëshirë do të kishin ardhur prapë.

Leave A Reply